Dëmet në sigurime në rritje me 60% për pesëmujorin

Gjysma e parë e vitit po rezulton e kripur në dëme për tregun e sigurimeve. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për pesëmujorin, dëmet janë rritur me 60% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Gjatë majit, rritja e dëmeve është ngadalësuar disi, megjithatë ngelet në nivele të pazakonta. Edhe raporti mes dëmeve dhe primeve është në nivele mjaft të larta për tregun shqiptar të sigurimeve, në afro 39%.
Rritja e lartë e dëmeve lidhet me klasat e sigurimit të detyrueshëm motorrik, sidomos te kartoni jeshil, që përfshin dëmet e paguara për aksidentet jashtë vendit. Por, një rritje e lartë e dëmeve të paguara është regjistruar edhe në disa prej klasave të sigurimit vullnetar, si sigurimi ndaj dëmtimeve në pronë dhe sigurimi i aksidenteve.
Dëmet janë rritur jo vetëm në vlerë, por edhe në numër rastesh, me 55% krahasuar me pesëmujorin e vitit të kaluar. Për sa i takon primeve, tregu i sigurimeve ngelet në rritje, por me një ritëm të ngadalësuar gjatë muajit maj.
Vlera e primeve të sigurimit u rrit me11%, nga 14% që kishte qenë rritja gjatë katërmujorit. Sigurimet e detyrueshme motorrike dominojnë strukturën e primeve, me afro 63% të totalit.
Disa prej klasave të sigurimit me rritje të lartë të primeve janë sigurimi ndaj dëmtimeve në pronë, sigurimi i aksidenteve dhe sigurimi i anijeve dhe avionëve.
Megjithatë, këto kategori kanë peshë realativisht të ulët në strukturën e primeve. Për pesërmujorin, tregu i sigurimit të jetës regjistroi një rritje disi më të lartë se mesatarja e tregut, me 15% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, pesha e jetës në tregun e sigurimeve ngelet relativisht e ulët, me rreth 7.5% të primeve totale.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.