Demokracia vendore në Ballkan – BE: 1.1 milion euro grante për Shqipërinë

Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion grantin prej mbi 1.1 milion euro për organizatat e shoqërisë civile në 12 bashkitë e përzgjedhura. Financimi do të bëhet nëpërmjet programit rajonal “ReLOaD” me synim forcimin e kapaciteteve të pushtetit lokal dhe shoqërisë civile, për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Gjatë nënshkrimit të kontratave me përfaqësuesit e bashkive fituese, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, theksoi gadishmërinë për financime duke kërkuar më shumë angazhim nga bashkitë e tjera.
“Elementi i rëndësishëm i programit është financimi për forcimin e kapaciteteve të pushtetit lokal dhe shoqërisë civile për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ka shumë organizata civile, të cilat nuk kanë kapacitete dhe nuk kanë sjellë projekte konkrete për të përthithur fonde. Programi Reload duhet të mirëmenaxhohet dhe bashkitë duhet të angazhohen në mënyrë që të përfitojnë fonde”, tha Vlahutin.
Programi do të zbatohet nga PNUD. Përfaqësuesi, Brian Williams, theksoi se është e rëndësishme që ky program të zbatohet jo vetëm në qendrat kryesore, por edhe në periferi.
“Pabarazia është një çështje e rëndësishme. Axhenda 2030 tregon aspiratat për t’u përfshirë si qendra, ashtu edhe periferia në programe të tilla, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, u shpreh Williams.
Programi “RELOAD” do të zbatohet në 6 vende të rajonit përfshirë edhe Shqipërinë, dhe shuma e vënë në dispozicion nga BE në total kap shifrën prej 8.5 mln euro.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.