Dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit, qeveria ndryshon skemën e pagesave. Flet drejtori i Thesarit në MF: Projekti për përshpejtimin e kësteve, dosjet në një ministri

Nuk do të ketë më tre ministri, por vetëm një, e cila do të ketë në ngarkim të gjithë procesin e ndarjes së dëmshpërblimit për të përndjekurit nga regjimi komunist.
Drejtori i Thesarit në Ministrinë e Financave, Lavrdim Sahitaj, pohon në një intervistë për Gazetën “Panorama” se është duke u diskutuar mundësia për përqendrimin e punës në një institucion të vetëm. Kjo do të sillte përshpejtim të pagesave, duke qenë se do të shmangeshin vonesat e krijuara nga komunikimi mes tre institucioneve. Aktualisht janë Ministria e Drejtësisë , e Financës dhe e Mirëqenies Sociale që kanë në ngarkim dosjet e të dënuarve.
Nga domosdoshmëria e koordinimit mes tyre, në jo pak raste janë gjeneruar vonesa të pajustifikuara. Ndaj edhe plani, sipas Sahitajt, është që e gjithë puna nga aplikimet te menaxhimi i dosjeve të klasifikuara për dëmshpërblim e deri te kryerja e pagesave të menaxhohen nga një ministri e vetme. Kjo do të sheshonte formalitetet e panevojshme që kanë kushtëzuar deri më tani procesin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.