Dëmtim rrjeti nga privati në Orikum, Himarë e Tiranë – OSHEE masa të menjëhershme për rikthimin e energjisë

Tre raste të mungesës së energjisë elektrike të shkaktuara nga palët e treta janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në zonën e Orikumit, Himarës dhe Tiranës.
Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, dje në orën 16:45 u dëmtua fideri nr.2 në Nënstacionin Himara 1 për shkak të këputjes së përcjellësit në pjesën e një degëzimi të një subjekti privat si dhe nga moti i keq me shtrëngata e shi. Si rrjedhojë, mbeti pa energji elektrike një pjesë e Vunoit deri në Potam.
Ndërsa, sot sipas OSHEE-së, u dëmtuar rrjeti TM i fiderit nr.3, Nënstacioni Radhimë nga një firmë private ndërtimi, duke lënë pa energji elektrike qytetin e Orikumit.
Po ashtu, një tjetër rast është shënuar po ditën e sotme në Tiranë, ku bëhet e ditur se është dëmtuar fideri nr.28, Nënstacioni Kashar nga ana e Ujësjellësit. Si rezultat i dëmtimit, një pjesë e zonës së Kamzës ka mbetur pa energji elektrike. Grupet e punës së OSHEE kanë kryer ndërhyrjet e nevojshme duke rikthyer energjinë elektrike brenda një kohe të shkurtër.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.