Denaj inspekton bizneset e dëmtuara nga tërmeti: Rimbursim 100%
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, inspektoi disa prej bizneseve në zonën e plazhit, të dëmtuara nga tërmeti që ndodhi pak ditë më parë. Ministrja garantoi bizneset se dëmet e shkaktuara nga tërmeti do të përballohen nga buxheti i shtetit, i cili disponon fondet e nevojshme për të mundësuar këtë gjë.
“Buxheti i shtetit disponon fondet për ta mbështetur të gjithë pjesën e konstatimit të dëmeve, me rimbursim. Ky vlerësim dëmesh duhet të ndodhë këto javë dhe ne pastaj të kemi mundësi që menjëherë të hapim fondin, i cili është i plotë, por do të ketë edhe fonde shtesë. Unë jap garanci që i gjithë ky proces do të mbulohet 100 %”, u shpreh znj. Denaj.
Pavarësisht këtij fakti, Ministrja Denaj u bëri thirrje të gjithë bizneseve për tu solidarizuar me familjet dhe bizneset e prekura nga tërmeti. Gjatë bashkëbisedimit me biznese të zonës, Ministrja Denaj kërkoi mirëkuptimin e tyre për procedurat që do të ndiqen dhe theksoi nevojën për një mirë-koordinim mes strukturave shtetërore, në mënyrë që vlerësimi i dëmeve të bëhet sa më shpejt dhe më pas të vijohet me pjesën e fondeve për rimbursimin e tyre.
E.S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.