Denaj premton mbështetje për zejtarët: “Një vlerë e shtuar në ekonominë e vendit”
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së titullit “Ndimësmjeshtër”, organizuar nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë gjatë së cilës vlerësoi suksesin e vetë profesionistëve të fushës, ndihmës mjeshtrave, por edhe mjeshtrave që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi të ndërtimit të karrierës së tyre, që sipas saj , janë dëshmi e ecurisë pozitive të tregut të punës, që tanimë po orientohet drejt zanateve dhe biznesit që zhvillon profesionistë që sjellë vlerë të shtuar në ekonomi.
Duke theksuar vëmendjen e shtuar drejt gruas në zejtari, e cila trashëgon dhe zhvillon më së miri traditën, që jep një ndihmë edhe në rritjen e ekonomisë familjare, Ministrja Denaj, u shpreh se sfidë vijon të mbetet zhvillimi i tregut të punës dhe përshtatja e kurseve të formimit profesional me kërkesat e tij, sipas standardeve ndërkombëtare dhe sipas sistemit dual.
Denaj u shpreh se gjatë viteve të fundit mbështetja buxhetore ka ardhur në rritje përmes buxhetimit në drejtim të tregut të punës, nëpërmjet arsimin dhe formimin profesional.
“Ne kemi sektorë shumë të rëndësishëm të ekonomisë që po performojnë pavarësisht pandemisë dhe situatës së vështirë që kaluam. Rigjallërimi i ekonomisë është sot një fakt. Tregu i punës është kthyer, madje ka kaluar dhe numrin e të punësuarëve në vitin e kaluar. Në qershor të vitit të kaluar ne patëm një ulje në tregun e punës me gati 677.000 të punësuar sepse sigurisht pas mbylljes ekonomike pati një tkurrje dhe sot jemi në 679.000 të punësuar. Punësimi do të duhet gjithnjë të adresohet për të rritur më tej vlerat tuaja. Nuk dua të lë pas edhe inovacionin pasi edhe ai ka një vlerë shumë të rëndësishme dhe vëmendja e qeverisë shqiptare drejt inovacionit është akoma më shumë e fokusuar në programin ekonomik në mandatin e tretë qeverisës”, u shpreh Denaj.
Ndërkaq sipas njoftimit të publikuar në ceremoninë e organizuar nga Dhoma Kombëtare e Zejeve u shpërndanë 60 certifikata për Ndihmës mjeshtra në gjithë vendin.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.