Denoncimet e qytetarëve, Policia bllokon lloto në Berat, Elbasan e Tiranë! 4 procedime penale
Policia e Shtetit njofton se gjatë 12 orëve të fundit ka pasur 7 denoncime nga qytetarët për paligjshmëri në fushën e armëmbajtjes pa leje, lëndëve narkotike dhe lojërave të fatit. 4 persona janë vënë në pranga ndërsa 4 të tjerë u proceduan penalisht. Ndërkohë, janë sekuestruar lëndë narkotike, armë zjarri, municion luftarak, tavolina pokeri, aparate celular e laptop.
Falë denoncimeve të qytetarëve dhe reagimit të Policisë janë evidentuar dhe goditur tre raste të ushtrimit të aktivitetit të kundraligjshëm të lojërave të fatit.
Në Tiranë, shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.3, kanë proceduar penalisht shtetasin F. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në rrugën “Myslym Shyri” gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi u gjet një tavolinë pokeri e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në Berat, Specialistët e Seksionit për Krimet proceduan penalisht shtetasin A.Z., 47 vjeç, banues në Poliçan, pasi në subjektin “Bar-Kafe” ushtronte aktivitet pa kasë fiskale dhe lojëra fati (lloto sporti). Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një laptop.
Në Elbasan, Policia procedoi penalisht pronarët e një subjekti shtetasit I.Ç., 38 vjeç dhe G.Ç., 22 vjeç, banues në fshatin Vidhas, Elbasan, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tyre ushtronin aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në fund të njoftimit, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë falas në numrin 112, në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, ose përmes rrjeteve sociale në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, çdo rast të paligjshmërisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.