Dentistët të pezullojnë shërbimin/ Urdhri i Stomatologut, apel klinikave. Urdhri i Farmacistëve këshillon masa shtesë
Urdhëri i Stomatologëve të Shqipërisë i ka bërë thirrje të gjithë mjekëve stomatologë si dhe personelit të klinikave dentare që të mbyllin shërbimin dentar deri më datën 3 Prill 2020. Kërkesa vjen pas konfirmimit të disa rasteve të COVID 19 edhe në Shqipëri, ndërkohë që rekomandohet që shërbimet e urgjencës dentare të kryhen vetëm konform Protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Nga ana tjetër edhe Urdhëri i Famracistëve të Shqipërisë ka kërkuar që farmacitë të ndërmarrin masa, në mënyrë që të evitojnë përhapjen e virusit. Sipas UFSH-së farmacistët duhet të evitojnë grumbullimin e njerëzve nëpër farmaci, të vendosin mbrojtëse xhami mbi banak, në mënyrë që të evitohet kontaminimi nëpërmjet spërklave nga e tështitura apo kollitja si dhe të garantoni që të ketë një metër distancë midis pacientëve me njëri- tjetrin.
Po ashtu, kërkohet që të merren masat mbrojtëse të posacme (doreza, maska) për secilin nga farmacistët, ndërsa brenda ambjenteve të farmacisë t’ju vihen në dispozicion pacientëve produkte për higjenizimin dhe dizifektimin e duarve gjatë kohës që presin.
Nga an tjetër kërkohet të bëhet një pastrim i përshtatshëm brenda ambienteve të farmacisë, të hidhet higjenizant në ambient si dhe të shpërndahen materiale informuese të ndryshme për COVID-19 për pacientët. Sipas UFSH-së, farmacia është fronti i parë ku qytetari drejtohet për kujdes shëndetësor, masa mbrojtëse si dhe informacion, ndaj instancat shtetërore, përgjegjëse për shëndetësinë, duhet të ofrojnë të njëjtën mbështetje dhe trajtim për farmacistin ashtu sikurse, me të drejtë, po mbështeten mjekët dhe infermierët.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.