Depozita më e pasur e diamantit në det. De Beers raporton rënie me 13% të prodhimit prej pandemisë
Debmarine Namibia, një filial i njësisë së diamantit De Beers, në pronësi të gjigantit të minierave Anglo American, raportoi një rënie me 13% të prodhimit në 1.125 milionë karatë vitin e kaluar, prej rënies së kërkesës gjatë pandemisë. Namibia ka depozitën detare më të pasur në botë të diamantit dhe është një ndër 10 prodhuesit më të mëdhenj të diamantëve cilësorë në të gjithë boten. Megjithatë, prodhimi është goditur rëndë nga kërkesa e dobët në tregun ndërkombëtar.
Të ardhurat e kompanisë ranë me 5% në 427 milionë dollarë (6.6 mld dollarë namibie), sipas kompanisë. Honoraret dhe taksat ndaj qeverisë ranë gjithashtu me 6%, në 140 milionë dollarë (2.1 mld dollarë namibie). Kompania, që është një sipërmarrje e përbashkët 50-50 mes De Beers dhe qeverisë namibiane, ka arritur partneritet me 5 banka tregtare afrikane për një marrëveshje të financimit prej 375 milionë dollarë për të ndërtuar një anije gjigante të nxjerrjes së diamantit. Ekzekutivi Otto Shikongo tha se punimet për anijen, e njohur si AMV3, po ecin mirë dhe ndërtimi pritet të përfundojë më tremujorin e tretë 2021.
Anija, me kapacitet për të shtuar 500,000 karatë tek prodhimi vjetor, do të jetë e 7-a në flotën e kompanisë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.