Deputetët anglezë: Shqipëria, perlë e pazbuluar nga turistët e huaj!

Shtatë deputetë të Parlamentit Britanik të Dhomës së Përfaqësuesve të Zgjedhur të Dhomës së Londrës janë pritur të martën në Tiranë në një takim zyrtar me Bordin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Britani e Madhe.
Kryetari i Grupit Parlamentar John Whittingdale duke theksuar rëndësinë e punës së Dhomës Britanike në Shqipëri, tha se investitorët britanikë përtej bashkëpunimit janë të interesuar edhe për promovimin e vendit tonë në Britaninë e Madhe.
Po ashtu, shprehu mbështetjen e tij ndaj Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe, pavarësisht faktit nëse ndodh ose jo Brexit.
Ndërkohë, Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Zenel Hoxha njohu parlamentarët britanikët me punën e bërë nga Dhoma gjatë dhjetë viteve të fundit, duke vënë theksin te ndërmjetësimi për interesa të kompanive anëtare në gjetjen e partnerëve si dhe në ndërgjegjësimin e biznesit lidhur me legjislacionin dhe parashtrimin e problemeve të tyre para qeverive.
Ndërkohë, Lord Dykes e cilësoi Dhomën si një instrument kyç në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve. Më pas Deputeti britanik Steven Pound vuri theksin te bukuritë natyrore të vendit tonë, duke e cilësuar atë si perlë të pazbuluar nga turistët e huaj. Po ashtu, ai i kërkoi Dhomës që të fokusohet më së shumti në lehtësimin e udhëtimit të britanikë në Shqipëri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.