Deputetët në Kosovë paguhen sa pesëfishi i pagës mesatare

Pagat mujore në Kosovë variojnë nga 130 deri në 400 euro, ndërsa paga e deputetëve të Kuvendit të Kosovës është gati pesë herë më e lartë se paga mesatare në vend.
Të 120 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pagës mujore prej rreth 1500 eurosh në muaj, gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre. Për dy seanca gjatë muajit, ata marrin 240 euro, raporton REL.
Kurse, për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fitojnë shtesa prej 160 eurosh.
Kështu, në tërësi, të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë edhe mëditjet, arrijnë apo edhe e tejkalojnë shumën prej 2000 eurosh.
Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se deputetët e Kosovës janë më të paguarit në rajon dhe sipas tij, ata bëjnë shumë më pak punë, për sa paguhen.
“As pagën mesatare prej 2 mijë eurove që marrin në muaj deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e meritojnë, pasi që nuk bëjnë punë sa duhet. Ne jemi dëshmitarë se si po funksionon Kuvendi. Pra, deputetët nuk e meritojnë as këtë pagë që e kanë e lërë më të bëhet fjalë për rritje të pagave dhe mëditjeve për deputetët”, thekson Demhasaj.
Të martën në mbledhjen e Komisionit për Buxhet në pikën e rendit të ditës “Shqyrtimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2018 – 2020, është bërë kërkesë për mjete shtesë për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi ka thënë se në kategorinë e pagave për vitin 2018 – 2019 janë paraparë 1 milionë e 400 mijë euro mjete shtesë.
“Ne kemi reflektuar si kërkesë buxhetore pasi që në vitin 2018 përmbyllet afati katër vjeçar i deputetëve dhe në zgjedhjet eventuale këto janë një buxhet i paraparë për pagat për mandatin pasiv të deputetëve, për kompensim, është paraparë gjysma e vitit 2018 dhe gjysma e vitit 2019”, ka theksuar ai.
Kosova për vite me radhë nuk ka pasur rritje ekonomike më të lartë se 4 për qind. Niveli i papunësisë konsiderohet të jetë i lartë, mbi 26 për qind sipas të dhënave zyrtare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.