Deputetja Tabaku: TVSH do të prekë edhe bizneset me xhiro 0-2 mln lekë – Efekti do të jetë zinxhir
Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, ka takuar disa biznese të vogla në zonën e Medresesë në Tiranë, për t’i informuar dhe për të marrë shqetësimet e tyre mbi taksat e reja dhe vendosjen e TVSH.
Gjatë bisedave, bizneset kanë treguar se i gjithë kontrolli anti-informalitet i këtij viti qe drejtuar ndaj tyre duke i ngarkuar me gjoba të paprecendenta dhe të paarsyeshme. Një nga sipërmarrësit argumentoi se e kishte të pamundur të merrte faturën e TVSH-së, pasi fruta-perimet që ai shet vijnë nga fshati drejtpërdrejt përmes fermerit.
Ndërkohë, Tabaku u shpreh se prezantimi i TVSH për biznesin e vogël, do të prekë edhe ato me xhiro të ulët vjetore.
“Edhe për kategorinë prej 0-2 mln lekë xhiro të bizneseve presin që çmimet të rriten sepse furnitorët e tyre do të preken nga TVSH. Në një mënyrë ose një tjetër efekti do të jetë zinxhir. Dhe kjo thjesht për një rritje të papërfillshme që shteti ia toleron biznesit të madh e oligarkut. Vendosja e TVSH-së tek BV nuk është një betejë për formalizimin e bizneseve, por është tentativa e radhës e një qeverie armike me sipërmarrjen”, tha deputetja.
Sipas Tabakut, tashmë biznesi gjendet para dy zgjidhjeve: të rrisë çmimet ose të ulë fitimet në kufijtë e mbijetesës. Për të, është e pashmangshme që shtimi i taksave do të rrisë papunësinë, ndërsa kujton se Partia Demokratike e paralajmëroi qeverinë para dy viteve se vendosja e niveleve të ndryshme të taksave brenda BV do të sillte copëzimin e bizneseve të tjera brenda skemës së TVSH.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.