Dërgesat e emigrantëve, nis projekti për uljen e kostove të transfertës – Berati zgjidhet si pilot

Paratë e dërguara nga emigrantët përbëjnë një mbështetje të rëndësishme për shumë familje shqiptare, por që përgjithësisht shoqërohen me kosto të larta të transfertave.
Si një vend pritës i remitancave, Shqipëria është përzgjedhur për t’u bërë pjesë e projektit të Bankës Botërore “Greenback 2.0” si një mjet për promovimin e kanaleve të aksesueshme dhe instrumenteve të pagesave me kosto efektive për dërgimin dhe marrjen e remitancave.
Berati është përzgjedhur si qyteti ku do të testohet kjo iniciativë, ndërsa në prezantimin e projektit, zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni theksoi kontributin e remitancave në konsum, ku këto flukse vlerësohet të financojnë mbi 1/3 e familjeve, të cilat i kanalizojnë këto të ardhura për të mira të domosdoshme, edukim, shëndetësi dhe në një masë më të vogël në investime.
“Sot remitancave po i kushtohet rëndësi në nivel ndërkombëtar në kuadër të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm. Për më tepër, duke qenë se ato kanë një rëndësi të veçantë për ekonominë shqiptare, ju ftojmë të vijojmë bashkëpunimin e frytshëm që kemi pasur, me qëllim përfundimin me sukses të projektit”, u shpreh Gjoni.
Gjoni vuri në dukje nevojën për reduktimin e kostove të dërgesave, të cila janë më të larta se objektivat e vendosura nga organizatat ndërkombëtare. Ajo u shpreh se nevojitet një pjesëmarrje më aktive e sistemit bankar dhe atij financiar në këtë fushë.
Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Cristoph Graf, shpjegoi përfitimet që mund të merren nga ky program.
“Duke rritur kulturën financiare dhe përmirësuar shërbimet financiare, si për dërguesit ashtu edhe për marrësit, ky program do të kontribuojë në rritjen e eficiencës dhe funksionimin e tregut financiar dhe ekonomisë së Shqipërisë. Një sukses i plotë, megjithatë mund të arrihet vetëm nëse institucionet dhe autoritetet përkatëse të vendit, përfshihen, së bashku me institucionet lokale”, tha Graf.
Sot në botë kostoja mesatare e transaksionit të remitancave përbën 8,36% të shumës së dërguar. “Greenback” synon ta ulë këtë kosto në 5% dhe kursimet prej 16 miliardë dollarësh në vit mund të shpenzohen për ushqime, edukim, strehim dhe akses në burime ujore.
A.H./SCAN
[Infodata] Remitancat, ja nga kanë ardhur paratë për shqiptarët ndër vite
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.