Dështojnë shitjet e Guçi në T4 / Kering synon të rrisë performancën në 100 vjetorin e markës

Grupi francez i luksit, Kering, po shpreson tek objektivat e marketingut dhe eventet e modës për të nxitur Guçi në njëqind vjetorin e markës, pasi shitjet dështuan të arrijnë projeksionet dhe mbetën pas disa rivalëve në fund të 2020-s.
Pandemia e Covid-19 ka mbajtur konsumatorët larg udhëtimeve, duke goditur shitjet e mallrave luksoze në qendra si Parisi, Milano dhe New Yorku, pavarësisht se rimëkëmbja e kërkesës në Azi ka ndihmuar disa nga markat premium. Guçi përbën 60% të të ardhurave dhe 80% të fitimeve tek Kering dhe ka qenë një nga peformuesit kryesor të industrisë në vitet e fundit. Megjithatë, ka dështuar në tremujorin e katërt 2020, krahasuar me rivalë si LVMH.
Shitjet e Guçi ranë me 10.3% më bazë tremujore, duke sjellë rënien e aksioneve të Kering me 7%. Reformimi tejet i suksesshëm i Guçi nën stilistin Alessandro Michele, bëri që të ardhurat e kompanisë të mbi dyfishohen dhe fitimet të trefishohen mes 2015 dhe 2019. Megjithatë, shqetësimet mbi performancën e ngadaltë kanë nxitur spekulimet se Kering, që zotëron gjithashtu marka si Saint Laurent, mund të synojë blerje për të zgjeruar portofolin, veçanërisht pasi rivali LVMH sapo bleu për 15.8 miliardë dollarë firmën amerikane të stolive, Tiffany.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.