Dështon ilaçi i AstraZeneca / Trajtimi me antitrupa të klonuar, vetëm 33% efektiv kundër Covid-19
Prodhuesi anglo-suedez i barnave, AstraZeneca, bëri të ditur se trajtimi me antitrupa monoklonalë, AZD7442, nuk arriti dot objektivat e parandalimit të Covid-19 me simptoma tek njerëzit e ekspozuar ndaj virusit. Kompania theksoi se pjesëmarrësit në prova ishin të rritur të pavaksinuar mbi 18-vjeç, që kanë konfirmuar ekspozimin tek një person me koronavirus në 8 ditët e fundit. AZD7442 reduktoi rrezikun e zhvillimit të Covid-19 simptomatik me 33%, krahasuar me një placebo, çka nuk është statistikisht e rëndësishme.
“Ndërkohë që kjo provë nuk arriti objektivin për sëmundjen simptomatike, ne jemi të inkurajuar nga mbrojtja tek pjesëmarrësit me një test PCR negativ, pas trajtimit me ilaçin”- tha Mene Pangalos, zv/presidenti i AstraZeneca.
Terapia me antitrupa monoklonalë i përket një klase të barnave që imitojnë antitrupat natyrorë që prodhon trupi për të luftuar një infeksion. Rivalët “Regeneron” dhe ‘Eli Lilly” kanë zhvilluar terapi me antitrupa të klonuar, që janë autorizuar për përdorim në SHBA për të trajtuar pacientët e infektuar me virusin. Agjencia Europiane e Barnave ka miratuar terapinë e Regeneron dhe po vlerëson barna të ngjashme nga Eli Lilly dhe GlaxoSmithKline me Vir BioTechnology. AstraZeneca listoi firmën zvicerane Lonza në Tetorin e kaluar që të prodhojë ilaçin në Portsmouth, New Hampshire, duke nisur nga gjysma e parë e vitit. AZD7332 po zhvillohet me mbështetjen e qeverisë amerikane.
AstraZeneca lajmëroi në muajin Mars një marrëveshje me qeverinë amerikane që të furnizojë deri në gjysmë milionë doza të ilaçit.
Klevis Llaha – SCAN`
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.