Dështon taksa e pronës? – 2019-ta nis “gropë”, bashkitë nuk mbledhin të ardhurat
Megjithëse bashkitë kishin një periudhë kohore prej 9 muajsh, që nga marrja e vendimit për zbatimin e metodologjisë së re të taksës së pronës, nga 1 prilli 2018, duket se sërish nuk janë bërë gati për ta aplikuar atë. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se për muajt Janar-Shkurt 2019, bashkitë kanë ulur performancën e mbledhjes së taksës së pasurisë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konkretisht për muajin Janar 2019 janë mbledhur 221 milionë lekë taksë pasurie nga 267 milionë që janë mbledhur në Janar 2018, apo rreth 46 milionë lekë më pak. I njëjti trend negativ ka vijuar edhe për gjatë muajit Shkurt 2019, ku janë mbledhur 431 milionë lekë, nga 494 milionë të arkëtuara në Shkurt 2018, apo rreth 63 milion lekë më pak.
Për vitit 2018, pushteti vendor mblodhi rreth 5.2 miliardë lekë nga taksa e pasurisë, me realizim në masën 97 për qind, duke lënë pa arkëtuar rreth 147 milionë lekë. Ndërsa për këtë vit, plani vjetor është rreth 6.9 miliardë lekë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.