Detajet e takimit të FED – Ndërhyrjet varen nga rimëkëmbja ekonomike, bilanci pranë reduktimit
Politikëbërësit e Rezervës Federale ranë dakord se nuk do të rrisin normën bazë të interesit deri sa të jetë e qartë se ngadalësimi i fundit i ekonomisë është i përkohshëm, tregon procesverbali i takimit të muajit Maj mbi politikat monetare.
Thuajse të gjithë politikëbërësit thanë se favorizojnë reduktimin e zotërimeve gjigante të titujve të thesarit dhe letrave me vlerë të kolateralizuara më vonë gjatë vitit.
Ndërkohë që investitorët vazhdojnë të presin një ndërhyrje në normën e interesit në takimin e muajit Qershor, procesverbali tregoi se Komisioni Federal i Tregut të Hapur beson se kjo varet nga rimëkëmbja e ekonomisë, ndërkohë që tremujori i parë rezultoi në ngadalësim.
Megjithatë, zyrtarët e Rezervës Federale e thonë hapur se presin që ekonomia të rifitojë vrull. Rezerva Federale ka në bilanc më shumë se 4 trilionë dollarë tituj thesari dhe letra me vlerë të mbështetura me kredi hipotekore, të akumulura pjesërisht gjatë krizës financiare të vitit 2008.
Propozimi i politikëbërësve tregon për një qasje operacionale drejt reduktimit të bilancit, me ndalimin e riinvestimit në letrat me vlerë që maturojnë. Nën planin e ri, do të caktohet një limit në sasinë e letrave me vlerë që lejohen të dalin jashtë bilanci çdo muaj.
Fillimisht, tavani do të caktohet në një nivel të ulët e do të rritet gradualisht nga Rezerva Federale. Lajmi se Sistemi Bankar Qendror në SHBA do të reduktojë bilancin, solli një rritje në titujt e kapitalit në SHBA.
Nasdaq, S&P 500 dhe Dow Jones e mbyllën sesionin tregtar në rritje. Dollari u tërhoq prej komenteve se Zyrtarët do të përmbahen nga rritja e normës së interesit deri sa ekonomia të rifitojë vrull.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.