Detajet e “vetting-ut” të policëve e gardistëve- 30 ditë kohë për dorëheqje, deklarim edhe për paratë “cash”
Ligji për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çëshjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, tashmë i ka kaluar të gjitha hallkat proceduriale dhe ka marrë fuqi ligjore. Procesi i vlerësimit kalimtar parashikohet të realizohet brenda 24 muajve.
Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve është i ngjashëm me atë të gjyqtarëve e prokurorëve e ka për objekt:
-vlerësimin e pasurisë;
-kontrollin e figurës;
-vlerësimin e aftësive profesionale
Sa i përket deklarimit të pasurisë, ligji parashikon se Punonjësi, i cili i nënshtrohet vlerësimit, deklaron:
a) të ardhurat personale dhe ato të personave të lidhur, sipas certifikatës familjare, nga çfarëdo lloj aktiviteti
b) shpenzimet e vitit të fundit për qira banese, ujë, drita, telefon dhe internet, si dhe të gjitha ato pagesa periodike për kontratat e furnizimit apo pajtimit në emër të tij apo të personave të lidhur
c) udhëtimet private personale apo të personave të lidhur jashtë shtetit gjatë tre viteve të fundit, duke specifikuar shtetin, vendin e qëndrimit, kohëzgjatjen dhe, me përafërsi, shpenzimet e përballuara
ç) arsimin e fëmijëve, madhorë apo të mitur, në momentin e deklarimit, apo të personave të lidhur, duke deklaruar fillimin, llojin e institucionit arsimor, emrin e institucionit, pagesat vjetore, si dhe kohëzgjatjen e studimeve për të gjithë periudhën e përcaktuar në pikën 1, të nenit 32, të këtij ligj;
d) sendet e paluajtshme të fituara, tjetërsuara, poseduara apo përdorura
dh) sendet e luajtshme apo sendet me vlerë mbi 300 000 lekë, përfshirë, por pa u kufizuar, mjetet motorike të fituara, tjetërsuara, poseduara apo përdorura
e) investimet apo mjete të tjera financiare që prodhojnë të ardhura, përfshirë, por pa u kufizuar, aksionet apo kuotat e shoqërive tregtare, titujt e kredisë, licenca, patenta apo të drejta të tjera; ë) llogaritë bankare, brenda dhe jashtë vendit, duke specifikuar numrat, vendndodhjen, datën e krijimit dhe gjendjen aktuale
f) detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë
g) të gjitha marrëdhëniet juridike, që kanë vlerë ekonomiko-pasurore;
gj) burimet e krijimit të këtyre pasurive.
Të gjitha subjektet e vlerësimit dhe personat e lidhur (bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja dhe fëmijët në moshë madhore dhe çdo person të përmendur në certifikatën familjare), të cilët bëhen subjekte të këtij ligji dhe plotësojnë deklaratën e pasurisë, nuk mund të mbajnë dhe të deklarojnë gjendje në Cash jashtë sistemit bankar mbi shumën 1,5 milion lekë. Depozitimi në institucionet bankare i gjendjeve Cash mbi vlerën 1,5 milion lekë është i detyrueshëm përpara dorëzimit të deklaratës së pasurisë pranë njësisë së burimeve njerëzore, raporton SCAN.
Ligji parashikon gjithashtu se punonjësi ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dorëheqja i paraqitet, me shkrim, titullarit të institucionit përkatës.
Pas dhënies së dorëheqjes, punonjësi ka të drejtë të përfitojë pagesë kalimtare, sipas parashikimeve të ligjit “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.