Detyrat ekonomike të Shqipërisë – Informaliteti, klima e biznesit dhe punësimi, kryefjala e Brukselit
Komisioni Europian në progres raportin për vendin tonë vlerëson se, ekonomia shqiptare ka bërë progres dhe se është e përgatitur në mënyrë të moderuar në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale. Në mënyrë që të mbështesë rritjen afat-gjatë, Shqipëria duhet të ketë kujdes:
- Vijimin e konsolidimit fiskal së bashku me uljen e borxhit publik.
- Nxitja e stabilitetit financiar nëpërmjet adresimit të çështjes së kredive me probleme dhe përdorimin e monedhës vendase
- uljen e ekonomisë informale, përfshirë punën në të zezë, thotë Komisioni Europian.
Një vëmendje të veçantë në vlerësimin e ekonomisë shqiptare merr edhe çështja e klimës së biznesit. Sipas Komisionit Europian, klima e biznesit vijon të mbetet një pengesë për konkurrueshmërinë e Shqipërisë dhe rritjen ekonomike të vendit.
Ligji i ri i falimentit konsiderohet si jo efikas, ashtu si ligji i përmbaruesve privatë. Mungesa e sundimit të ligjit është gjithashtu një pengesë mjaft e madhe për biznesin në vend.
Qeverisja më e mirë, një sistem taksash më i parashikueshëm dhe konform rregullave, si dhe një shpërndarje më eficente e shërbimeve publike do të përmirësonte ndjeshëm klimën e biznesit, thotë më tej Brukseli.
Zbatimi i reformës në drejtësi pritet t`i japë një shtysë sipërmarrjes në vend për rrjedhojë. Ndër të tjera, Komisoni Europian e vë theksin te informaliteti mjaft i lartë, që vlerësohet në të paktën 1/3 e ekonomisë totale, pavarësisht masave të ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim.
Sipas institucionit, ekonomia mjaft e madhe informale shkakton mbledhje të dobët të taksave si dhe konkurrencë të pandershme mes biznesit që operon në vend. Informaliteti vlerësohet gjithashtu i lartë në tregun e punës.
Në drejtim të ecurisë së tregut të punës, Komisioni Europian flet për progres por edhe për një papunësi ende të lartë.
Papunësia mjaft e lartë reflekton, veç mangësisë së aftësive profesionale, edhe mungesën e incentivave për të punuar si edhe ngurtësinë në ligjin e punës, thotë Brukseli, duke i treguar kështu Shqipërisë se ku janë pikat ku çalon ekonomia shqiptare dhe ku duhet ndërhyrë për ta bërë ekonominë shqiptare të krahasueshme me atë të vendeve europiane, në një fazë kur duket se Shqipëria do të fillojë të negociojë për t`u bërë një vend anëtar.
Shkrirja e Ministrisë së Punës do të ketë impakt negativ në implementimin e politikave të punësimit dhe masave të ndryshme në këtë drejtim, thotë Komisioni.
Konsolidimi fiskal, stabiliteti makroekonomik, menaxhimi më i mirë i financave publike, përmirësimi i deficitit tregtar, përmirësimi i sistemit të taksimit, menaxhimi më i mirë i PPP janë disa nga rekomandimet e tjera.
Të gjitha pikat e lartpërmendura dhe shumë të tjera pjesë e një raporti 107 faqe të gjatë do të jenë piketat e këtyre negociatave dhe manuali i ri i çdo qeverie, si aktuale ashtu edhe të ardhshme, deri në anëtarësimin e mundshëm të vendit në union.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.