Detyrimet e prapambetura, vijon “sëmundja”. Raporti: 46.2% e faturave të institucioneve nuk kontabilizohen brenda afatit kohor
Zvarritja e shlyerjes së dteyrimeve të prapambetura është një fenomen që vërehet prej vitesh në administratën publike, dhe që nuk duket se është përmirësuar as gjatë 2019-ës.
Televizioni Scan ka zbardhur një analizë të bazuar mbi auditimet e brendshme të institucioneve në varësi të Ministrisë së Financave, sipas të cilit, për vitin 2019, ky tregues është vlerësuar me 1.85 pikë nga 4 të mundëshmet (ose 46.2 %), që do të thotë se 46.2% e faturave të detyrimeve të prapambetura nuk janë kontabilizuar brenda afatit kohor prej 30 ditësh në SIFQ.
“Kryesisht, kjo problematikë vjen për shkak të mungesës së fondeve buxhetore nga ana e institucioneve, të cilat ndërmarrin angazhime përtej kapaciteteve të tyre ose për shkak të mosplanifikimit të duhur mujor të arkës”, theksohet në raportin e Ministrisë së Financave mbi auditimet.
Ndërkohë që edhe më problem është një tregues tjetër i analizuar nga njësitë e auditëve të brendshëm i cili verifikon nëse “të gjitha kontratat janë dërguar në kohë pranë degës përkatëse të thesarit”. treguesi përcakton numrin e kontratave të dërguara pranë degëve të thesarit pas tre ditëve nga data e nënshkrimit të tyre kundrejt numrit total të kontratave të dërguara në thesar.
Për vitin 2019, ky tregues është vlerësuar mesatarisht në nivelin 1.75 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 43.8%), duke reflektuar një situatë të përmirësuar në krahasim me vitin e kaluar, e vlerësuar me 0.6 pikë për njësitë e marra në analizë.
Por me gjithë përmirësimin e lehtë, të gjitha grupet e institucioneve paraqesin mangësi në këtë fushë, kryesisht ministritë e linjës, të cilat janë vlerësuar mesatarisht me 0.81 pikë, vlerësim më i lartë se viti 2018.
Ndërkohë, arsyet për mosrealizimin e këtij treguesi vijnë kryesisht si pasojë e mungesës së disponibilitetit të personave, të cilët nënshkruajnë kontratën, duke shkaktuar vonesa në dërgimin e tyre.
Gjithashtu, sipas raportit përfundimtar të Ministrisë së Financave, afati ditor prej 3 ditësh për dërgimin e kontratave në thesar është praktikisht i pamundur për t’u zbatuar nga institucionet, të cilat nënshkruajnë dhe menaxhojnë një numër shumë të madh kontratash.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.