Detyrimet tatimore – DPT paralajmëron: Kush nuk i paguan në kohë, do t’i bllokohen llogaritë bankare!
Të gjithë tatimpaguesit që nuk paguajnë detyrimet tatimore brenda afateve kohore, në të kundërt do të përballen me bllokim të llogarive bankare. Paralajmërimi ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sipas të cilës krahas bllokimit të llogarive bankare, do të nisë fillimi i procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimore.
“Kur konstatohet se nga ana e tatimpaguesit nuk është paguar detyrimi brenda këtij afati kohor, Administrata tatimore përveç bllokimit të llogarive bankare të tatimpaguesit, nxjerr njoftimin për fillimin e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor, si dhe merr masat për sigurimin e pasurisë së tij, duke vendosur mbi sendet në pronësi të tatimpaguesit, barrë siguruese apo hipotekë.
Nëse shumat që kalojnë në llogari të Administratës Tatimore pas urdhërbllokimit të llogarive, nuk plotësojnë detyrimin tatimor të papaguar të tatimpaguesit, AT sekuestron dhe më pas konfiskon, në favor të saj, të gjitha sendet e luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të tatimpaguesit, ndaj të cilave ajo ka vendosur më parë barrën siguruese apo hipotekën.”
Ndërkohë, sipas Administratës Tatimore sekuestrimi mbi të gjtiha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të të tatimpaguesit debitor, ekzekutohet duke filluar mbas 37 ditëve nga data e nxjerrjes së njoftimit të detyrimit tatimor të papaguar, ku tatimpaguesi ëhstë njoftuar për mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore.
“Çdo veprim i kryer për tjetërsim të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të të tretëve nga data e nxjerrjes së njoftim vlerësimit tatimor prej tatimpaguesit do të konsiderohet nga Administrata Tatimore si i pavlefshëm dhe detyrimi për arkëtimin e këtij detyrimi tatimor do të shtrihet edhe tek personat në emër dhe për llogari të të cilëve ka kaluar kjo pasuri.”
Urdhri i sekuestrimit
Procedurat e shitjes për pasuritë kundrejt të cilave më pare ishte vendosur masa e sigurisë fillojnë vetëm me anë të urdhrit të sekuestrimit. Ky urdhër përmban të dhëna për emrin e tatimpaguesit, NIPT-in, numri dhe data e njoftimit të vlerësimit tatimor dhe pasuria, objekt i sekuestrimit.
Shitja e pasurisë së sekuestruar
Me kalimin e afatit 15 ditor nga dita e marrjes së njoftimit të sekuestrimit nga ana e tatimpaguesit, i cili ende nuk ka shlyer detyrimin tatimor, sendet e paluajtshme ose të luajtshme të sekuestruara nga administrata tatimore, prej tatimpaguesit, konfiskohen dhe i nënshtrohen procesit të shitjes së tyre, me qëllim arkëtimin e detyrimit tatimor. Me përfundimin e procesit të shitjes së mallrave të konfiskuara, të ardhurat nga shitja përdoren fillimisht për të paguar shpenzimet e shitjes për zhvillimin e ankandit publik dhe më pas zbatohet radha e pagesës sipas përcaktimit ligjor. Në ato raste kur nga shitja realizohen më shumë të ardhura se sa ka qenë detyrimi tatimor i papaguar prej tatimpaguesit, këto shuma AT ia kalon tatimpaguesit brenda 5 ditëve pune nga data e përfundimit të arkëtimit të parave të realizuara nga shitja në favor të saj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.