Detyrimi tatimor i papaguar, Tatimet: Mund ta paguani me këste, ja si të veproni
Tatimet rikujtojnë të gjithë tatimpaguesit, të cilët deri në datën 31.12.2017 rezultojnë me detyrime tatimore të papaguara, që përbëjnë shkak për marrjen e masave shtrënguese nga administrate tatimore dhe të cilët nga ushtrimi i aktivitetit të biznesit ndeshen përkohësisht me një situatë të keqe financiare rikujtojmë, se ligji ju jep të drejtën për të paguar me këste një detyrim tatimor të papaguar.
Hapat që duhet të ndjekin tatimpaguesit:
1.Për këtë ata duhet t’i drejtohen me shkrim Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore nën juridiksion të të cilës ata janë të regjistruar dhe në këtë kërkesë duhet të shpjegohen të gjitha rrethanat dhe arsyet se përse kërkoni të lidhni një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore.
2.Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore, brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës, duhet t’ju kthejë përgjigje nëse kërkesa pranohet apo refuzohet. Nëse kërkesa Juaj, është e paargumentuar dhe e pajustifikuar nga rrethanat, ajo mund të refuzohet ose Ju mund t’ju kërkohet garanci bankare përpara se të hyni në një marrëveshje të tillë.
3.Në rast se kërkesa aprovohet, hartohet një marrëveshje me shkrim e cila nënshkruhet nga drejtori i drejtorisë rajonale tatimore dhe nga ana Juaj.
4.Nënshkrimi i marrëveshjes për pagesës me këste të detyrimeve tatimore të papaguara, e detyrojnë administratën tatimore që gjatë periudhës për të cilën është rënë dakord për pagesën me këste të detyrimeve tatimore të papaguara, të mos ndjekë ndaj jush masat e mbledhjes me force të detyrimeve tatimore, por për përmbushjen e saj, Ju keni detyrim ligjor të paguani detyrimet sipas marrëveshjes dhe detyrimet e periudhave vijuese.
Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatëvonesave për mos pagesë në afat të detyrimit tatimor.
Marrëveshja e pagesës me këste mund të zgjidhet nga administrata tatimore, në momentin më të parë që konstatohet se Ju nuk e respektoni atë, lidhur me korrektësinë e pagesave si dhe kur nuk paguani detyrimet tatimore që lindin gjatë periudhës së mbuluar nga marrëveshja.
Në këtë rast, jeni të detyruar të paguani të gjitha detyrimet tatimore të papaguara, që mbulohen nga kjo marrëveshje, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e marrjes së vendimit të zgjidhjes së marrëveshjes. Nëse këto detyrime nuk paguhen, administrata tatimore mbledh detyrimet në përputhje me dispozitat ligjore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.