Deutsche Bank shkrihet me Commerzbank? – Mediat gjermane: Ministria e Financave është duke “orkestruar” planin
Ministria gjermane e financave po mendon që të orkestrojë një shkrirje mes Deutsche Bank dhe Commerzbank, shkruajnë mediat gjermane. Madje, në skenë kanë dalë disa skenarë, që sipas mediave, janë në tavolinën e Ministrisë së Financave.
Njëri prej tyre është që qeveria gjermane të bëhet aksionerja kryesore për 5 vite te Deutsche Bank, deri sa të përfundojë procesi i shkrirjes. Një tjetër opsion është ai që Deutsche Bank të grumbullojë para nga kompanitë industriale gjermane për të mund të blerë Commerzbank.
Një tjetër opsion i diskutuar nga Ministria, sipas mediave gjermane, është ai që të krijohet një kompani e cila të ketë aksione te të dyja bankat. Përfaqësuesit e Deutsche Bank, Commerzbank dhe Ministrisë së Financave nuk kanë komentuar në lidhje me këto lajme. Ministri gjermani i Financave, Olaf Scholz ka deklaruar vazhdimisht se vendit i duhen banka të forta për ekonominë e orientuar nga eksportet.
Bashkimi mes dy bankave më të mëdha në vend do t`i shërbente më së miri këtij qëllimi dhe për këtë arsye qeveria gjermane e mbështet këtë ide. Qeveria gjermane është aksionerja më e madhe te Commerzbank, me 15% të aksioneve. Blerja u bë gjatë krizës financiare globale problemet e kohëve të fundit të Deutsche Bank ndërkohë duket se kanë shtuar ndjeshëm zërat për një bashkim mes dy gjigandëve më të diskutuar fillimisht që në vitin 2016.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.