Dhënia e licencave minerare – Bordi i EITI kërkon më shumë transparencë, shpjegime edhe për taksat

Shqipëria ka bërë Progres Domethënës në implementimin e Standardit EITI, me përmirësime të konsiderueshme në disa kërkesa individuale, në drejtim të transparencës në industrinë nxjerrëse. Ky është vendim i Bordit Ndërkombëtar me qendër në Oslo, pas procesit të dytë të validimit për Shqipërinë. “Bordi i EITI është dakord se Shqipëria ka trajtuar pjesërisht veprimet korrigjuese. Si rrjedhojë, Shqipëria ka bërë përparim kuptimplotë në përgjithësi me zbatimin e standardit EITI, me përmirësime të konsiderueshme në disa kërkesa individuale”, thuhet ndër të tjera në shkresën drejtuar ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të cilët TV SCAN e disponon.
Ndërkaq, Shqipëria do të ketë 12 muaj në dispozicion, përpara se të fillojë një Validim i Tretë për të përmbushur Veprimet Korrigjuese që janë lënë si detyrë nga ana e Bordit. Më konkretisht Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse kërkon nga Shqipëria publikimin e një përshkrimi gjithëpërfshirës të procesit për transferimin ose dhënien e licencave në miniera, naftë dhe gaz, duke përfshirë kriteret specifike teknike dhe financiare të vlerësuara. Aty ku licencat jepen përmes një procesi tenderimi, qeverisë i kërkohet të zbulojë listën e aplikantëve, duke përfshirë aplikantët që nuk konkurrojnë.
Gjithashtu, Shqipëria duhet të sqarojë publikisht rregullat dhe praktikat që lidhen me aftësinë e Albpetrol për të rritur financimin e palëve të treta, çdo ndryshim në pjesëmarrjen e shtetit në vitin në shqyrtim dhe çdo kredi dhe garanci të papaguar nga Albpetrol ose nga shteti për të kompanitë në sektorin e minierave, naftës dhe gazit. Ndërkohë që, një kërkesë tjetër lidhet me publikimin e një shpjegim më të detajuar të llojeve të taksave vendore të mbledhura nga qeveritë lokale dhe për të rritur shtrirjen e saj ndaj qeverive vendore përpara raportimit të ardhshëm të EITI.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.