Dhënia me koncesion e HEC-eve – Shpallet gara edhe për “Bushtrica 4”
Një muaj e gjysmë pas shpalljes së dokumenteve për dhënien me koncesion të Hidrocentralit Bushtrica 3, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka shpallur garën edhe për ndërtimin e hidrocentralit të radhës mbi lumin e Shkumbinit, atë të “Bushtrica 4”.
Palët e interesuara do të kenë 1 muaj kohë për të dorëzuar ofertat e tyre. Pas 21 Gushtit, MEI do të mbledhë ofertat e mbërritura në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe do të bëjë vlerësimin, sipas një procedure me pikë.
Fuqia e instaluar është pjesë më e rëndësishme e ofertës dhe vlerësohet me 25 nga 100 pikë dhe ndiqet nga vlera e tarifës koncesionare (ose sasia në përqindje e energjisë elektrike që koncesionari i jep çdo vit shtetit) dhe analiza ekonomike e financiare. Të dyja këto kritere vlerësohen me nga 15 pikë.
Fituesi do të operojë me një kontratë koncesionare të formës BOT, pra do të ndërtojë dhe operojë HEC-in, për një periudhë prej 35 vitesh, e më pas ai do t’i kalojë qeverisë.
Vendndodhja ku do të ndërtohet centrali hidroenergjetik është mbi pellgun ujëmbledhës të lumit të Bushtricës, për pjesën nga kuota 1335 metra mbi nivelin e detit, deri në 820 metra mbi nivelin e detit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.