Dhjetëfishohen penalitetet për shoferët – Kodi i ri Rrugor: 200 mijë lekë gjobë dhe rikthim në autoshkollë për shpejtësinë

Një listë e gjatë ndryshimesh do të ndërmerren në Kodin Rrugor të me qëllim ashpërsimin e gjobave që do të shkojnë deri 200 mijë lekë për tejkalimin e shpejtësisë, reduktim pikësh e kthim në kurs pranë autoshkollave për t’ju nënshtruar përsëri testimit teknik në rastet e hejqes së patentave. Ministria e Brendëshme ka hedhur për konsultim publik draftin me ndryshimet në Kodin Rrugor, ku përparësi merr ndëshkimi i sjelljeve të përsëritura në kundërshtim me rregullat, por edhe ndalimin e drejtuesve që qarkullojnë me mjete të pasiguruara.
Qendra e Informacionit, e krijuar sipas ligjit, njofton menjëherë organet e ngarkuara nga ligji për regjistrimin e mjeteve dhe ato të kontrollit të qarkullimit rrugor, mbi mjetet e pasiguruara për ekzekutimin e masave administrative të parashikuara në këtë nen dhe sigurimin e mjeteve pas marrjes së këtyre masave, theksohet në draft.
Bie në sy rritja e vlerës së gjobave për tejkalimin e shpejtësisë maksimale në qendrat e banuara e jashtë tyre.
Kushdo që tejkalon kufijtë e shpejtësisë maksimale për më shumë se 50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe më shumë se 40 km/orë në qendrat e banuara, ndëshkohet me masë administrative me gjobë, nga njëqind mijë lekë deri në dyqind mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkelje, aplikohet masa administrative shtesë e pezullimit të lejes së drejtimit nga tre deri në gjashtë muaj dhe për këtë shkelje hiqen 6 pikë.
Ndërkohë që ashpërsim gjobash do të ketë edhe për mosvendosjen e rripit të sigurimit si dhe përdorimi i telefonëve gjatë drejtimit të mjetit.
Kushdo që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë, nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. Drejtuesi i mjetit ndëshkohet me masë administrative me gjobë, nga një mijë deri në tremijë lekë, nëse konstatohet se në mjetin që ai drejton ka pasagjerë që nuk kanë vendosur rripin e sigurimit.
Sa I përket përdorimit të telefonëve gjatë drejtimit gjobat dhjetëfishohen duke shkuar “nga pesëqind deri në një mijë e pesëqind lekë” në “pesëmijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë”. Në raste të përsëritjes së shkeljes së mësipërme 3 herë brenda të njëjtit vit, drejtuesit të mjetit i pezullohet leja e drejtimit 3 muaj dhe i hiqen 10 pikë”.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.