Dhjetori, muaji i ofertave për HEC-e/MEI publikon dy oferta të reja në Shkodër dhe Dibër
Projekte të reja për shfrytëzimin e burimeve hidrike janë planifikuar për qarkun e Shkodrës dhe atë të Dibrës. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka publikuar kërkesat për oferta në lidhje me ndërtimin e dy hidrocentraleve me kapacitet të ulët prodhues.
Shoqëria “ENDRI PESHKU” SH.P.K ka aplikuar për miratimin e ndërtimit të hidrocentralit “Peshku Energy”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në përroin e Xixullës, degë e lumit Mat, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, kjo shoqëri fokusohet në kërkim, zbulim, shfrytëzim mineralesh, eksport-import e të tjerë.
Një tjetër ofertë është dhënë dhe për ndërtimin e hidrocentralit “Era” me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në përroin e Bicës dhe Kroin e Borshit, degë e lumit të Shalës.
Është pikërisht shoqëria “Tradita G & T”, me aktivitet bar-restorant, hotel, muze etnografi, dyqan suveniresh, ajo që ka kërkuar miratimin lidhur me këtë projekt.
Ndërkohë, ky është propozimi i dytë që vjen nga shoqëria “Tradita G & T”, pas atij në fillim të dhjetorit për hidrocentralin “Maia” po në të njëjtën zonë.
Ergisa Bejkollari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.