Dhoma Italo-Shqiptare – Civici: Heqje e barrierave për të rritur investimet
Biznesi italian dhe shqiptar tani ka një pikëtakimi të re që synon forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe. Është pikërisht ky një nga objektivat që do të ketë në axhendë Dhoma Italo-Shqiptare e Tregtisë.
Në takimin e mbajtur jo vetëm me anëtarët e kësaj dhome, përfaqësues të ambasadës Italiane por edhe ekspertë të ekonomisë u bë një paraqitje mbi pikat ku duhet fokusuar vëmendja për të rritur këtë bashkëpunim.
Për Adrian Civicin qeveria në veçanti dhe politika në tërësi duhet të shkojnë drejt minimizimit të barrierave institucionale.
“Me gjithë vështirësitë shumë të mëdha që iu ndesh neve, ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Ndjeshmëria e përgjithshme edhe e politikave qeveritare është që duhet bërë gjithçka për eliminimin e çdo lloj pengese institucionale apo ekonomike, për të pasur sa më shumë bashkëpunime, sa më shumë investime dhe sa më shumë prezencë të industrialistëve, financierëve dhe ndërmarrjeve italiane në Shqipëri”, tha Adrian Civici, President i UET.
Për ekonomisten Luljeta Minxhozi janë një seri sektorësh ku mund të ketë investime nga kompanitë italiane duke përfshirë edhe agrikulturën që tek eksportet ka kontribut modest në raport me rajonin.
“Shqipëria ka një sektor të gjerë të agrikulturës por duhen investime të rëndësishme dhe inovacion. Kjo është pika jonë më e dobët e gjithë eksporteve. Niveli i eksporteve novatore është 10 për qind dhe edhe pse në rritje nga viti në vit sërish jemi më dobët se rajoni. Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi janë mes 25-30 për qind në eksporte novatore, pra eksporte që bazohen në know how dhe inovacion”, tha Minxhozi.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.