Dhoma Turke: Shqetësim gjyqësori – Publikohet sondazhi për klimën, Mesi: KLP e KLGJ frymë e re në drejtësi
Gjyqësori dhe sundimi i ligjit janë një prej shqetësimeve kryesore me të cilat përballet biznesi turk në Shqipëri. Në këtë përfundim arrin një sondazh i kryer nga Dhoma Turke në Shqipëri me kompanitë që janë pjesë e saj. Rezultatet e sondazhit u bënë publike me rastin e 4 vjetorit të themelimit të kësaj Dhomë, ku ishte e pranishme edhe Zëvendësministrja Senida Mesi. Numri dy i Qeverisë garantoi biznesin turk se me ngritjen e KLGJ dhe KLP ka nisur edhe rruga pa kthim e pastrimit të gjyqësorit nga korrupsioni, ndërkohë që adresoi edhe çështja të tjera në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, si incentivat e ndryshme për thithjen e investimeve, deregulimi, apo shkurtimi i procedurave burokratike.
Ambasadori i Turqisë në vendin tonë Ahmet Joruk foli për rolin e rëndësishëm të biznesit turk në jetën ekonomike shqiptare, duke paralajmëruar në janar rishikimin e marrëveshjes së tregtisë mes vendeve tona, me qëllim rritjen e bashkëpunimit tregtar e ekonomik.
Sipas sondazhit të kryer nga Dhoma Tregtare Turke , kompanitë e saj ndjejnë përmirësim të klimës së biznesit dhe janë optimiste për rritjen ekonomikë në Shqipëri për vitin e ardhshëm.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.