“Dhurimi i gjakut shpëton jetë” – Credins Bank i bashkohet fushatës së ‘Kryqit të Kuq’

Dhurimi i gjakut është një akt human, i cili shpëton jetë njerëzish. Ndaj sot, stafi i Credins Bank iu përgjigj menjëherë thirrjes së Kryqit të Kuq për të dhuruar gjak. Kjo iniciativë u përkrah nga shumë punonjës të bankës, të cilët ndjehen të lumtur që kontribuojnë për të përmirësuar jetën e qindra fëmijëve që vuajnë nga Talasemia ose dhe persona të tjerë që kanë nevoja urgjente për transfuzion gjaku.
Në Shqipëri 600 fëmijë janë të prekur nga sëmundja e Talasemisë. Këta fëmijë marrin një herë në 3 jave gjak. Ky gjak nuk sigurohet dot nga prindërit, pasi prindërit janë bartës të Talasemisë. Përveç të sëmurëve me Talasemi ka dhe shumë të tjerë me nevoja mjaft emergjente, dhe sasia e mbledhur është ende e pamjaftueshme për të gjithë ata që kanë nevojë.
Vetëm 10 minuta mjaftojnë për të shpëtuar 3 jete! Gjaku është jetik, dhe nuk mjafton.
Ndaj stafi i Credins Bank, dhuroi sot gjak, dhuroi jetë për të gjithë ata që kanë nevojë!
Për SCAN foli rreth kësaj fushate edhe koordinatorja e Dhurimit Vullnetar të Gjakut, Antigoni Qystri:
“Në Shqipëri ka shumë fëmijë talasemikë që çdo dy javë duan një qese gjak që të jetojnë normalisht si ne. Thirrja e fushatës është “Dhuroni gjak, shpëtoni jetë” dhe në këtë nismë na është gjendur pranë ‘Credins Bank’, ashtu siç na mbështesin edhe për çdo aktivitet tjetër që ka ‘Kryqi i Kuq’, kur bëhet fjalë për fëmijët jetimë ose njerëzit në nevojë.”
Qystri thotë se dhurimi i gjakut sjell përfitime shëndetësore edhe për vetë dhuruesin, teksa përfiton falas një sërë analizash që nëse kryen privatisht, kushtojnë:
“I bën mirë edhe personit që dhuron gjak, pasi rikuperon rruazat e kuqe të gjakut. Është normale që gjaku i dhuruar të ekzaminohet nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut për të gjitha infeksionet, sëmundjet e ndryshme si dhe zbulohen grupet e gjakut dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, pra çdo gjë që ka të bëjë lidhje me gjakun. Këto analiza të bëra në një klinikë private kushtojnë shumë, ndërsa me dhurimin janë falas.”
Koordinatorja e Dhurimit Vullnetar të Gjakut, iu bën apel të gjithë personave 18-60 vjeç, që sikurse Credins Bank të dhurojnë lëngun e jetës.
“Çdo shqiptar nga kjo moshë që e ndjen veten fizikisht dhe psikologjikisht mirë duhet të bëhet pjesë e dhuruesve vullnetarë. Sot dhuroni, nesër mund të keni ju nevojë për gjakun. Le të bëhemi sa më shumë humanë, pasi është dhurata më e bukur për jetën.” – e përfundoi mesazhin e saj koordinatorja Antigoni Qystri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.