“Dhuro një Stol” – Nisma e re, Veliaj apel qytetarëve

“Dhuro një Stol” është nisma më e re e Bashkisë së Tiranës që synon të përfshijë të gjithë qytetarët dhe bizneset për të dhënë një kontribut modest për kryeqytetin.
Në Parkun e Liqenit Artificial janë vendosur tre stolat e parë, nga qytetarë të cilët janë bërë pjesë e nismës, aktivitet në të cilin mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se kjo nismë do të vijojë dhe do të shtrihet edhe në zona të tjera të qytetit të Tiranës.
Në kuadër të nismës “Dhuro një Stol”, Bashkia e Tiranës përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit nxit qytetarët të kontribuojnë edhe për Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës.
Në dispozicion të të interesuarve do të jetë modeli i stolit dhe vendndodhja e detajuar në hartë, ndërsa gjatë procesit dhuruesi do të ndihmohet nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.