Diaspora si faktor ekonomik – Majko: Kanalizim i remitancave, në rrugë bankare
Kanalizimi i remitancave në rrugë bankare si dhe përdorimi i tyre për zhvillimin ekonomik të vendit do të jetë nja nga masat që janë përfshirë në Strategjinë Kombëtare të Diasporës dhe Migracionit 2018-2024.
Kjo strategji do të ndikojë në zgjerimin e shërbimeve bankare në vend si dhe në rritjen e bashkëpunimit me bankat e huaja sa i përket remitancave. Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, është shprehur se formalizimi i remitancave do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Remitancat e shqiptarëve pas vitit 1990 ndahen në disa faza me zhvillime të ndryshme. Kështu nga viti 1991 – 1997, remitancat e para rezultuan me rritje të lartë për ekonominë Shqiptare.
Faza e dytë e remitancave është në vitin 1997 ku ka pësuar ulje gati në përgjysmim, ndërsa faza e tretë ka të bëjë me rimëkëmbjen e ekonomisë, si rezultat i remitancave të dërguara nga rritja e numrit të personave që migruan pas krizës piramidale.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2004 remitancat u rritën, duke tejkaluar shifrën prej 1 miliard dollarë. Pas vitit 2009, remitancat kanë pasur rënie të vogël.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.