Digjitalizimi, shtyhet data e “fikjes” së sinjalit analog në Tiranë e Durrës

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur të shtyjë afatin për mbylljen e transmetimeve analoge për qarqet Tiranë dhe Durrës.
Arsyeja e vendimit të AMA për një datë të mëvonshme, është sasia e pamjaftueshme në treg e dekoderave tokësorë, si mjet i vetëm për televizorët tradicionalë që të mund të marrin sinjalin televiziv digjital.
Data e caktuar më parë ishte 30 Qershori, ndërsa në njoftimin e AMA nuk ishte vendosur një datë e caktuar, ndaj mund ta quajmë një shtyrje pa afat, pasi nuk saktësohet se kur mund të pajisen banorët e këtyre qarqeve me pajisjet dekorder.
Sigurimi i sasisë së mjaftueshme të dekoderëve digjital konsiderohet shumë e rëndësishme, edhe për shkak të numrit të lartë të banorëve që jetojnë në këto dy zona.
Sa i takon qarqeve të tjera, duket se procesi do të vijojë normalisht, teksa Berati pritet të bëhet qarku i radhës që fillon transmetimin digjital më datë 3 Korrik. Në këtë qark, transmetimet digjitale dhe analoge do të vazhdojnë paralelisht për një muaj, ndërsa më pas sinjali analog do të fiket përfundimisht.
Autoriteti i Mediave Audiovizive i bën thirrje banorëve të Beratit të pajisen gjatë kësaj periudhë plotësisht me marrësit digjital, sepse përndryshe nuk do të mund të shohë më transmetime televizive, pas fikjes së sinjalit analog një muaj më pas.
Pas lirimit të frekuencave të këtij brezi nga transmetimet televizive analoge, ai do të kalojë në administrimin e AKEP, i cili nga ana e tij do t’ua japë në përdorim operatorëve të komunikimeve elektronike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.