“Digjitalizoni pasqyrat financiare” – Amendamenti: Regjistër 5-vjeçar, projeksione të sakta për ekonominë
Deputeti Ilir Beqaj kërkon digjitalizimin e pasqyrave financiare të bizneseve që kanë deklaruar tatim-fitimi për periudhën 2014-2017. Amendamenti I depozituar pranë Komisionit të Ekonomisë bazohet në procedurat e reja që pritet të aplikohen vitin që vjen, sipas të cilave pasqyrat financiare vjetore të sipërmarrjeve për vitin 2018 do të mund të depozitohen edhe online, duke rritur jo vetëm saktësinë, por edhe duke krijuar një bazë të dhënash për përpunimin e mëtejshëm nga ana e Institutit të Statistikave, Bankës së Shqipërisë apo studiues të ndryshëm.
Sipas Beqajt, analizat statistikore marrin vlerë më ta madhe nëse bazohen në seri kohore më të plota, duke kërkuar një shtesë prej 20 milion lekësh në buxhetin e Qendrës Kombëtare të Biznesit.
“Nëse arrihet të realizohet kjo gjë, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2019, në shtator do të kemi një bazë të dhënash të konsoliduar me të dhëna 5-vjeçare. Kështu edhe analizojmë më mirë se çfarë ka ndodhur, por edhe projeksionet për të ardhmen, për rritjen ekonomike, investimet e huaja direkte, investimet e vetë biznesit ndaj huave nga bankat apo të tretët, punësimit, kostove të punës, etj. do të jenë shumë të sakta”,-thuhet ndër të tjera në relacionin që shoqëron amendamentin.
Në rast të regjistrimit të pasqyrave financiare të 4 viteve të bizneseve që kanë deklaruar tatim-fitimi, atëherë regjistri i digjitalizuar do të mundësojë informacion për rreth 80 mijë biznese.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.