Dimri do të jetë i sigurt – Raporti për 2019/2020: Projektohet mjaftueshmëri energjetike

Dimri këtë vit projektohet i sigurt nga ana e mjaftueshmërisë energjetike, thonë parashikimet më të fundit të rrjetit europian të operatorëve të transmetimit, në raportin e 2019/2020. Sa i përket dimrit 2019/2020, në Shqipëri nuk ka ndonjë ngjarje apo çështje të parashikuar të rrezikojë mjaftueshmërinë e sistemit.
Në përgjithësi, mjaftueshmëria e sistemit do të përmbushet nga gjenerimi i hidrocentraleve dhe importi. Vitet e fundit, ka pasur një rritje në kapacitetin e gjeneruar të instaluar; rrjedhimisht, varësia e Shqipërisë nga importi është paksa e reduktuar”-thuhet në raport për vendin tonë.
Sa i përket rrjetit të transmetimit, raporti projekton kapacitete të mjaftueshme për të përballuar importet dhe eksportet ndër-kufitare. Në tërësinë e tij, dimri i këtij viti nuk parashikohet problematik. Por nga ana tjetër, shifrat tregojnë se, i gjithë dimri, me përjashtim të javës së fundit të marsit dhe fillimit të prillit, do të ketë importe.
Pra, vendi ynë e ka të pamundur të plotësojë nevojat pa ndihmën e importeve gjatë stinës së ftohtë në kushte normale, e aq më pak në kushte ekstreme, kur edhe nevoja për energji elektrike prek majat. Këtë e tregon qartë grafiku, ku nevoja për import ilustrohet me vlerat në territor negativ.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.