Disbalancë në rimbursimin e barnave – 939 mln lekë për janarin, farmacitë në Tiranë përfitojnë 345 mln
Fillimi i vitit 2018 ka nisur me një disbalancë të madhe sa i përket rimbursimit të medikamenteve . Disbalanca e rimbursimit është mes Tiranës dhe Tropojës. Në janar, është shënuar vlera financiare më e lartë e rimbursimi për të gjitha kategoritë përfituese. Kështu në fillim të këtij viti janë rimbursuar mbi 939 milionë lekë medikamente në të gjithë vendin. Shifër kjo që ka pësuar një rritje me të njëjtën periudhë të një viti më parë ku rimbursimi ishte mbi 743 milionë lekë.
Rritja e rimbursimit është me mbi 193 milionë lekë. Edhe për këtë vit rrethi që ka nisur me përfitimin më të lartë të vlerës së rimbursimit është Tirana. Farmacitë në kryeqytet kanë përfituar mbi 345 milionë lekë rimbursim. Më pas rrethet që ka përfituar një vlerë të konsiderueshme të rimbursimit të medikamenteve janë: Elbasani mbi 62 milionë, Durrësi mbi 50 milionë dhe Korça mbi 42 milionë.
Ndërsa rrethet që janë rimbursuar më pak janë: Tropoja me 6.4 milionë lekë, Kukësi me 10 milionë dhe Saranda me 11 milionë lekë. Skemës së rimbusimit të medikamenteve që nga janari i 2017 i është shtuar edhe kategoria e të sëmurëve kronikë të pasiguruar.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.