Diskutimet për paketën fiskale – Braçe-Ahmetaj, debate mbi ligjin e TVSH-së
Diskutimi nen për nen i paketës fiskale në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave është shoqëruar edhe me debate dhe brenda vetë mazhorancës. Kështu në ligjin për TVSH debati është fokusuar te lehtësitë hotelet me 5 yje dhe jo çdo investitor mund t’i përfitojë. Sipas ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, përfitime me TVSH të reduktuar përfitojnë vetëm “brand name” të hoteleve kryesore dhe jo çdo investitor mund të marrë status special.
“Jo kujtdo i jepet status special. Status special i jepet vetëm “brand names” dhe po ta shikoni në referencë të ligjit të turizmit, statusi special jepet me vendim të Këshillit të Ministrave, me relacion për “brand names” pra nuk është i zgjeruar. Le të themi që në qoftë se dikush që nuk është i asociiuar zyrtarisht me një “brand name” dhe ato janë të listuara nuk mund ta përfitojë statusin special”, tha Ahmetaj.
Por kryetari i këtij komisioni, Erjon Brace, është shprehur se duhet një përcaktim të saktë për shërbimet përfituese, pasi mund të abuzohet me këtë.
Braçe: “Brenda resorteve apo këtyre hoteleve me 5 yje mund të krijohen si i quanim që moti në ’97 magazina doganore që mund të kthehen lehtësisht në qendra kontrabande. Unë jam në vete zoti ministër por mos më thoni që kjo gjë nuk ka ndodhur”
Ahmetaj: “Po si mund të krijohet brenda hotelit me 5 yje magazinë doganore?”
Braçe: “Zoti ministër jo qendër doganore, por qendër kontrabande e themi kështu, d.m.th. blen 13 mijë shishe uiski dhe i shet brenda një muaji me 6 për qind TVSH”.
Ahmetaj: “Ato që blen ai i konsumon në operacionet e veta brenda strukturës akomoduese. Pra e thënë ndryshe ato 10 shishe uiski apo 10 shishe verë ato pihen aty në restorant ose në bar nuk mbahen aty kontrabandë për t’u shitur për jashtë”.
Ndërkohë me propozim të ministrit të Financave, komisioni ka miratuar rritjen e taksës së pronës për biznesin në 0.2 % të vlerës, nga 0.15 % që ishte në fillim, si një kompensim për kategoritë e përjashtuara nga kjo taksë e pensionistëve të vetëm dhe familjeve që trajtohen me ndihme ekonomike. E gjithë paketa fiskale për vitin e ardhshëm është fokusuar ne ndryshimet ne 6 ligje.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.