Diskutimi në “Argument” – 2020-a paraqitet me Buxhetin e Konsolidimit apo të Dobësimit
Mbrëmjen e sotme në emisionin “Argument” nga Enio Civici është folur sërish për projektligjin e Buxhetit të Shtetit, si një nga ligjet kryesore të shtetit dhe që këtë vit ka hasur në mjaft kritika për vonesën që i është bërë në paraqitjen publike të tij.
Projektligji është në fazat e para të diskutimit, teksa ka kaluar në disa komisione parlamentare, ku zoti Ahmetaj e ka kthyer atë për rishikim dhe është komentuar nga opozita si Buxhet i dobët, për shkak të politikave fiskale. Në parashikimet e para nga ekspertët, ata shpjegojnë se shifrat në Buxhet janë tejet optimiste për ekonominë shqiptare, një tezë e mbrojtur kjo edhe nga dy të ftuarit në studio, Fatos Çoçoli dhe Rezart Prifti.
Çoçoli një ekspert i mirënjohur i Financave Publike në mendimin e tij për buxhetin shprehu frikën për frymën jo realiste që po i jepet atij në çdo aspekt. Sipas tij, ky buxhet nuk guxon me investime, por duket i shtrënguar: “Shpresoj shumë që buxheti i këtij viti të jetë me këmbë në tokë, por nga shifrat situata nuk duket e tillë dhe ka sërish probleme.
Më duket më shumë një buxhet i shtrënguar sesa një buxhet që do të investojë aty ku ekonomia ka nevojë. Ministria e Financave është shprehur se rritja ekonomike në vitin e ardhshëm do të bazohet te konsumi i brendshëm, por në një situatë kur nuk ka as rritje rrogash dhe as rritje pensionesh edhe rritja do të bjerë duke shkaktuar një situatë të vështirë.
Mendoj se ky buxhet nuk guxon shumë. Historia në Shqipëri tregon se ne rrugës e ndryshojmë gjithnjë buxhetin me rregullime nga më të ndryshmet. Duket sikur ka rritje të fortë gjatë këtij, por në fakt nuk është e vërtetë, sepse një stopim shuëm i fortë gjatë vitit 2019 ka bërë që ekonomia të ngadalësohet dhe kjo patjetër do ndikojë në vitin e ardhshëm.” Ndërkohë, për të ftuarin tjetër, z. Prifti, pedagog në Fakultetin Ekonomik të Tiranës dhe sipërmarrës, situata paraqitet mjaft e rëndë, me një buxhet i cili nuk përmban asnjë masë strategjike në të.
Ky buxhet sipas tij duhet të marrë emërtimin e “qoftëlargut”: “Do ta quaja buxheti i “qaftëlorgut”. Mbështes z.Çoçoli kur thotë se ata nuk kanë guxuar të bëjnë investime dhe kjo e gjitha sepse prej tyre nuk është marrë asnjë masë strategjike.
Viti që vjen duhet parë gjithnjë me një farë rrisku, disa sektorë kyç duhen parë si prioritarë dhe të investohet, në mënyrë që vitin e ardhshëm të marrësh frytet e tij. Unë kam një përshtypje që ky buxhet nuk është mirëmenduar, por bazuar vetëm mbi parashikime dhe i kanë rënë sipër me sëpatë si zakonisht.
Shteti këtë vti është përpjekur të marrë akoma më shumë para nga qarkullimi i tregut me gjetja e parave, me disa ide “djallëzore” ku më e fundit mund të përmendet ajo e taksimit të njerëzve që kryejnë disa punë dhe marrin të ardhura poshtë 2 milionë lekëve.
Kjo bëhet për të mbushur arkat e shtetit dhe barbaria do taksojë atë që është në hall dhe atë që është me mendje, por principi duket se është përqendruar tek këta të fundit. Për mua buxheti ka mungesë vizioni dhe për më tepër do ta konsideroja atë vetëm si një “copy-paste” e disa tabelave të Excel-it.
Gjithashtu refuzimi i buxhetit nga z.Ahmetaj është për mua surrealizmi më i madh dhe se oponenca e bërë prej tij është për tu shqetësuar.
Nga krahu tjetër opozitës nuk i intereson buxheti. Ata kanë gjëra të tjera më me rëndësi në mendje. ”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.