Dita Botërore e Makaronave – Italia prodhoi në vlerë 3.9 miliardë euro vitin e shkuar
Llojet e makaronave janë nga të gjitha format e përmasat: spageti, linguini, pene, taliatele, etj. dhe janë një nga pëlqehen nga e gjithë bota, ndaj nuk është habi që të përbëjnë një industri me përmasa gjigande në vlerë.
Data 25 Tetor shënon Ditën Botërore të këtij ushqimi dhe instituti europian i statistikave ka publikuar të dhënat e tregut të makaronave në union.
Në vitin 2016, në Bashkimin Europian u prodhuan 5.3 milionë tonë pasta, 1.8 milionë më shumë se dhjetë vite më parë. Kjo sasi prodhimi llogaritet në një mesatare prej gati 10.5 kilogramë makarona për banor, ndërsa vlera arrin në 5.7 miliardë euro.
Nuk është e çuditshme që vendi kryesues me distancë të madhe nga ndjekësit është Italia, e cila prodhoi 3.8 milionë tonë makarona, me vlerë 3.9 miliardë euro. Italia zë kështu 72% të volumit total të prodhimit të këtij ushqimi në BE dhe 69% të vlerës.
Shteti që shpiku makaronat renditet gjithashtu si eksportuesi kryesor, i cili me 1.8 milionë tonë të eksportuara përfaqësoi 77% të totalit të Bashkimit Europian.
Ndjekësit që vijnë menjëherë pas Italisë janë Gjermania dhe Franca me përkatësisht 362 mijë dhe 314 mijë tonë të prodhuara.
Shumica e eksporteve për këtë produkt shkojnë në Shtetet e Bashkuara (167 mijë tonë), ndjekur nga Japonia, Zvicra, Kina dhe Rusia.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.