Dita botërore e Mjedisit – Klosi: Kostot për reduktimin e mbetjeve, minimale

Rritja e kostos së qeseve plastike është bërë qëllimisht duke synuar reduktimin për përdorimin e tyre. Kjo është përgjigja që i ka dhënë Ministri i i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, biznesit në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit ku ka bërë thirrje për bashkëpunim për ruajtjen e tij. Ministri bëri thirrje dhe qytetarëve për refuzimin e qeseve që nuk biodegradohen.
“Kjo politikë është një politikë që për momentin mund të duket një politikë e cila kërkon të godasë një lloj biznesi, por në fund të fundit ne e kemi prej kohësh një politikë tjetër që të orientojmë në përdorimin e qeseve me shumë përdorime dhe të kemi mundësi të eliminojmë përfundimisht qeset e pabidegradueshm. Qytetarët vetë duhet të refuzojnë të përdorin qese të cilat nuk janë të biodegradueshme, të refuzojnë të përdorin qese të cilat kur hidhen në vendgrumbullimet e mbetjeve ngelen aty për mbi 100 vjet”, tha Klosi.
Klosi theksoi se kostot për reduktimin e mbetjeve nuk janë të larta, ato bëhen edhe më minimale duke përdorur teknologjitë e reja.
“Po, ka mundësi që me teknologjitë e reja, me kosto minimale të kemi menaxhim tjetër të trajtimit të ujërave të zeza, e kështu më radhë. Operacione të cilat në fund të fundit bëjnë zbatimin e asaj që ne kemi thënë që në krye të herës. Ne nuk duam vetëm të pastrojmë Shqipërinë në një ditë, ne duam që të pastrojmë Shqipërinë nga shkaqet nga të cilat ajo bëhet pis, nga shkaqet që Shqipëria është e papastër.”
Ministri vlerësoi të rëndësishëm në ruajtjen e mjedisit dhe mendimin intelektual, duke kërkuar një bashkëpunim të vazhdueshëm ekspertëve në këtë drejtim .
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.