Dita Botërore e Turizmit, Klosi: Statistikat jo më tregues, por cilësia e turistëve dhe shpenzimet
Në Ditën Botërore të Turizmit, Ministrit i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se 2018-ta, i shpallur si viti i Skënderbeut, është gjithashtu një moment për të rritur dimensionin e turizmit historik. Ngjarje të shënuara historike, vende apo personalitete të historisë shqiptare do të jenë pjesë e paketës së asaj që ofron Shqipëria për vizitorët e huaj, deklaroi Klosi nga eventi mbajtur në Krujë në Ditën Botërore të Turizmit.
Ministri Klosi deklaroi se turizmi shqiptar do të kthehet në industrinë kryesore të ekonomisë së vendit, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë edhe asaj që ka qenë një nga faktorët më frenues të rritjes së turizmit, cilësisë së mjedisit.
Të mbajmë pastër mjedisin siç mbajmë shtëpinë tonë, është motoja e aksionit mbarëkombëtar të pastrimit të territorit që do të shoqërohet edhe me penalitete për ndotësit.
Ministri Klosi deklaroi se është e pafalshme që rruga drejt qytetit historik të Krujës është kthyer në vend grumbullimi të llojeve të ndryshme mbetjesh.
Klosi u shpreh se turizmi shqiptar do të shihet kryekëput në një tjetër qasje. Pavarësisht rritjes së shifrave të turizmit, ku 2017 shënoi 6 për qind më shumë vizitorë se një vit më parë, Klosi deklaroi se beteja me turizmin nuk do të jetë ajo e statistikave, por ajo e cilësisë së turistëve dhe parave të shpenzuara në Shqipëri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.