Dita botërore kundër duhanit – Beqiri: Duhet implementim i ideve të reja në sistem

Duhet implementim i ideve të reja në sistemin shëndetësor për reduktimin e duhanpirjes. Kështu është shprehur ministri i shëndetësisë Arben Beqiri, në konferencën e organizuar në kuadër të ditës botërore pa duhan.
“Ne sot aderojmë plotësisht me rekomandimet e OBSH dhe me politikat e qeverisë shqiptare në këtë moment të caktuar, por sigurisht besojmë që ka me dhjetëra ide të reja që mund të implementohen në sistemin tonë shëndetësor, të perceptueshme pozitivisht nga publiku dhe që do të çojë në reduktim të rëndësishëm të përdorimit të duhanit dhe nënprodukteve të tij”, tha Beqiri.
Beqiri theksoi nevojën e politikave mbështetëse për ata që duan ta lënë duhanin
“Ne akoma nuk kemi një sistem të ndihmës për njerëzit që duan ta lënë duhanin. Akoma nuk kemi një sistem të ndërtuar të paralajmërimit për rreziqet e shkaktuara. Nuk po flasim për posterat sporadikë, por po flasim për atë që duhet të jetë e sanksionuar në çdo paketë. Por edhe për këtë vjen një pengesë për vështirësinë e implementimit të këtij ligji europian në legjislacionin shqiptar. Pra duhet kërkuar përafrim i këtyre ligjeve, që të mund të sanksionohen këto shenja të poralajmërimit. Historia me duhanin s’mund të jetë asnjëherë një hap para, dy hapa mbrapa. Duhet të jetë gjithmonë nga një hap i sigurt përpara”, u shpreh Beqiri.
Rreth 6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga përdorimi i duhanit, një shifër e cila parashikohet të rritet në më shumë se 8 milionë në vit deri në vitin 2030 nëse nuk do të ndërmerren nisma konkrete. Konsumi i duhanit sjell vuajtje, sëmundje dhe vdekje. Ai varfëron familjet dhe ekonomitë kombëtare. Sipas OBSH Rreth 80% e vdekjeve të parakohshme nga duhani ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.