Dita e Diasporës, Majko: Të paktën tani kemi informacion
18 dhjetori është dita ndërkombëtare e emigracionit dhe njëkohësisht dita kombëtare e diasporës në Shqipëri.
Në një takim të organizuar me rastin e kësaj dite, ministri i shtetit Pandeli Majko, tha se, më në fund, shteti shqiptar po mbush boshllëkun e plotë në informacion dhe në strategji, lidhur me diasporën.
Instat dhe Banka e Shqipërisë do të publikojnë raporte vjetore për emigracionin dhe remitancat, ndërsa ministri i shtetit do të hartojë çdo vit një dokument politikash për diasporën.
Megjithatë, veç pasurimit të statistikave dhe hartimit të dokumenteve, ende nuk ka ndonjë rezultat të prekshëm të dalë nga krijimi i ministrisë për diasporën dhe as nga strategjia kombëtare përkatëse.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, mbi 1.1 milionë shqiptarë të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Destinacionet kryesore janë Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë.
Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë, kurse në Mbretërinë e Bashkuar rreth 10 mijë. Emigrantët japin një kontribut të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, me një vlerë remitancash që vitin e kaluar ishte afro 640 milionë euro.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.