Dita e fundit e fushatës në Francë – Sipas sondazheve për balotazhin presidencial, Macron kryeson me 57.5%
Presidenti aktual francez Emmanuel Macron dhe rivalja e tij e ekstremit të djathtë Marine Le Pen filluan të premten ditën e tyre të fundit të fushatës, përpara balotazhit të së dielës. Duke folur në një radio, Macron ka pranuar dështimin e tij për të shuar një pjesë të pakënaqësive në vend, duke shtuar se Le Pen po e përdorte për të drejtuar fushatën e saj.
Dy ditë përpara votimit, presidenti aktual i qendrës proeuropiane, kryeson në sondazhet e opinionit public me rreth 10 pikë ndaj kundërshtares së tij kundër imigracionit dhe euroskeptike. Por, një nivel i lartë abstenimi dhe pakënaqësie me disa nga politikat e Macron, do të thotë se rizgjedhja e tij nuk është e sigurtë.
Le Pen, politikat e së cilës përfshijnë ndalimin e shamive myslimane në publik, duke u dhënë shtetasve francezë përparësi në punë dhe përfitime dhe kufizuar rregullat e Europës për udhëtimet ndërkufitare, tha se Macron mishëron një politikë për njerëzit e elitës dhe ka dështuar me shtresën e mesme dhe të varfër. “Ai nuk i pëlqen francezët”, deklaroi ajo.
Duke thënë se kishte ndjenjën e një nëne, Le Pen sulmoi arrogancën e perceptuar të Macron në debatin televiziv, duke e akuzuar atë për përbuzje ndaj saj dhe ndaj votuesve.
Tre sondazhe të veçanta të publikuara të enjten pas debatit të tensionuar televiziv, treguan se rezultati i Macron ishte i qëndrueshëm, ose pak në rritje për të shkuar midis 55.5% dhe 57.5%. Por, sondazhet treguan përqindjen e pjesëmarrjes midis 72% dhe 74%, që do të ishte më e ulëta për një balotazh presidencial që nga viti 1969.
Kjo, dhe një shkallë e caktuar e pavendosmërisë së votuesve përpara të dielës do të thotë që një fitore befasuese e Le Pen, e ngjashme me ngjarje të tilla si Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së, nuk mund të përjashtohet plotësisht.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.