Dita e Tokës 2021: Vetëm 3% e planetit tonë është ende e paprekur. Çfarë nënkupton kjo?!
22 Prilli është Dita e 41-të e Tokës, një ngjarje e shpikur në 1970 nga aktivisti paqësor Amerikan John McConnell për të nderuar planetin tonë dhe vetë idenë e “paqes në botë”, dhe që me kalimin e viteve është transformuar duke u bërë një nga simbolet e luftës kundër ndryshimit të klimës – marrëveshjet e Parisit, për shembull, u nënshkruan në 2016 gjatë Ditës së Tokës.
Edicioni 2021 përfshin tre ditë takimesh, diskutimesh dhe ngjarjesh, në një nivel global dhe gjithashtu lokal , e cila do të përfshijë njerëz të të gjitha moshave me vëmendje të veçantë për brezat e rinj, të cilët në këto kohët e fundit kanë shtyrë të gjithë lëvizjen në mënyrë më efektive, të paktën në nivelin komunikues, sesa bënë të rriturit.
Por çfarë saktësisht po përpiqemi të festojmë dhe mbrojmë? Një studim i ri ndërkombëtar, i botuar në Frontiers, na jep një përgjigje të frikshme: vetëm 3% e planetit tonë është ekologjikisht e paprekur.
Ekziston një fakt tjetër edhe më shqetësues që del nga studimi: nga kjo përqindje e vogël e ekosistemeve të paprekura, vetëm 11% janë të vendosura brenda zonave të mbrojtura; përkundrazi, shumë prej këtyre zonave janë të vendosura në vende jo të mbrojtura zyrtarisht, por të menaxhuara nga komunitetet autoktone/indigjene, të cilat vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në kujdesin për integritetin e tyre.
Prandaj ekziston një disproporcion i madh midis atyre që ne i konsiderojmë “zona të mbrojtura”, dhe për këtë arsye në një kuptim të caktuar “në rregull”, dhe ekosistemeve që aktualisht janë ende të qëndrueshme dhe funksionale; përveç mbrojtjes së asaj që është, prandaj, ne duhet të fillojmë të marrim parasysh nevojën për të rikthyer zonat e degraduara.
Sipas Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, një nga çelësat për të marrë këtë rezultat është rifutja e specieve të kafshëve dhe bimëve, të cilat lejojnë që habitati të rikthejë funksionalitetin e tij: ndërhyrje të tilla mund të çojnë në rilindjen e rreth 20% të ekosistemeve tokësore aktualisht të degraduara. (FOCUS)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.