“Dividenti social” në Greqi – Bie dakord me kreditorët, bonusi do të financohet nga suficiti primar
Ministri i Financave në Greqi, Euclid Tsakalotos, bëri të ditur se Qeveria ka rënë dakord me kreditorët për të shpërndarë një “divident social” në 2017-ën, që do të kalojë vlerën e 1.1 miliardë euro.
Tsakalotos tha se grupet sociale më në nevojë do të përfitojnë nga bonusi i njëhershëm, me kritere specifikë që do të përdoren për të zgjedhur përfituesit. Ky bonus do të financohet nga sufiçiti primar i vitit 2017, që ka kaluar bindshëm objektivin e caktuar nga kreditorët ndërkombëtar.
Fondet nga suficiti do të përdoren gjithashtu për të paguar detyrimet shtetërore ndaj ekonomive familjare dhe bizneseve, si pagesat e pensioneve dhe zbritjet tatimore. Qeveria është kritikuar nga partitë opozitare për zgjedhjen e një bonusi dhe jo përdorimin e këtyre fondeve për të ulur taksat.
Partia Demokracia e Re, deklaron se qeveria po përdor shpërblimet për të tërhequr votuesit, ndërkohë që fondi që po përdoret për dividentët social vjen nga tatimi i tepërt. Tsakalotos shtoi se qeveria planifikon të testojë tregjet e huamarrjes për të dytën herë këtë vit. Ai tha se deri në fund të programit të shpëtimit, në Gusht 2018, Athina pritet të ndërveprojë në tregjet ndërkombëtarë 3 apo 4 herë.
“Qëllimi është që të kemi akses kur të mbarojë programi”, shton ministri i Financave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.