“Dixhitalizimi” i letrave me vlerë – Gjergji: Bursa dhe institucionet do të rrisin sigurinë e tregut

Tregu shqiptar i letrave me vlerë ka qenë vazhdimisht i ekspozuar ndaj riskut për manipulime, për shkak të zhvillimit të kufizuar, gjatë gjithë këtyre viteve. Drejtori i Bursës së parë private në Shqipëri, Artan Gjergji, thotë se tregu ka qenë i orientuar nga letrat fizike, të cilat mund të bëhen lehtësisht objekt falsifikimi.
“Ekziston si fenomen falsifikimi i titujve apo i gjithë mjeteve të pagesës të formës fizike pra të prekshme që janë kartëmonedha apo letra me vlerë të printuara në kushte të caktuara sigurie, gjithmonë janë të ekspozuara nga risku i falsifikimit nga falsifikatorë të ndryshëm”, tha Gjergji.
Gjergji shton se, ngritja e bursës së aksioneve, bashkë me modernizimin e institucioneve shtetërore, do ta orientojnë tregun e tituvje drejt dixhitalizimit të plotë, duke eliminuar edhe çdo risk për falsifikim.
“Licencimi i bursës është në kuadër të plotësimit të gjithë kësaj skeme, kësaj arkitekture tregu financiar. Ne kishim një arkitekturë tregu financiar të fokusuar vetëm te sektori bankar. Tashmë hap pas hapi institucionet përgjegjëse siç është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë po suportojnë zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe zhvillimin e atyre institucioneve financiare që merren pikërisht me industrinë e titujve. Hapi i parë ishte licencimi i bursës, besoj shumë shpejt në vjeshtën e këtij viti do të licencohet edhe ky institucion depozitar i titujve, që do të mbajë në formë elektronike të dematerializuar të gjithë titujt e tjerë të formave të tjera që nuk janë të qeverisë pastaj edhe ajo pjesa që mungon siç janë aksionet, obligacionet e korporatave do jetë i mundshëm regjistrimi i tyre në formë elektronike dhe pastaj të gjithë aksionerët nuk do të kenë më merakun nëse u falsifikohen ato tituj apo vidhen pasi do të ekzistojë kopja e tyre elektronike në një data bazë super funksionale, u shpreh Artan Gjergji.
Në korrik të këtij viti, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi bursën e parë shqiptare. ALSE është e para bursë titujsh, që vjen si nismë e sipërmarrjes private dhe pritet të jetë funksionale shumë shpejt.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.