Do rizhvillohen zgjedhjet në Stamboll – Më 23 Qershor. Autoritetet i përgjigjen thirrjeve të Erdogan
Autoritetet turke anuluan rezultatin e votimit për Bashkinë e Stambollit, duke i’u përgjigjur thirrjeve të partisë së presidentit Erdogan për rizgjedhje, diçka që solli rënien e lirës turke. Bordi i Lartë i Zgjedhjeve vendosi se do të zhvillohen zgjedhje të reja për Stambollin më 23 Qershor.
Përfaqësuesi i partisë Drejtësi dhe Zhvillim në bord, Recep Ozel, tha se vendimi u bazua në dokumente të panënshkruara mbi rezultatin në zgjedhjet e 31 marsit dhe prej zbulimeve se disa zyrtarë të kutive të votimit nuk ishin nëpunës civilë. Presidenti turk, Erdogan, tha se vendimi për të zhvilluar përsëri zgjedhjet në Stamboll përbën një hap të rëndësishëm drejt demokracisë, ndërkohë që në zgjedhjet e Marsit ka pasur “korrupsion të organizuar”.
“Shpresoj që vendimi të jetë pozitiv për Stambollin. Si politikanë, e shohim këtë vendim si hapin e duhur drejt forcimit të demokracisë, duke ja lënë popullit detyrën e arbitrit. U bë e dukshme që disa njerëz u përfshinë që përpara zhvillimit të zgjedhjeve. Mendojmë sinqerisht që ka pasur korrupsion të organizuar dhe parregullsi në zgjedhjet e Stambollit”, është shprehur Recep Tayyip Erdogan, Presidenti i Turqisë.
Lira turke ra kundër dollarit amerikan pas rezultatit mbi zgjedhjet, duke e çuar humbjen totale për këtë vit në 14%, ndërkohë që investitorët u shqetësuan mbi pasiguritë politike dhe liderët e bizneseve e kritikuan këtë lëvizje. Erdogan tha se Turqia po përballet me një sabotazh ekonomik dhe premtoi se do të mbrojë ekonominë ndaj sulmeve.
Aleatët perëndimorë të Turqisë shprehën gjithashtu shqetësim mbi anulimin e zgjedhjeve të 31 Marsit. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha se vendimi nuk ishte as transparent as i kuptueshëm.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.