Dobësimi i euros – A po ndikon Banka e Shqipërisë?
Që nga fillimi i muajit shkurt, leku u forcua sërish ndaj monedhës së përbashkët europiane, duke iu afruar sërish vlerave më të ulëta të dekadës së fundit.
Lidhur me këtë forcim të lekut, shpjegimet e ekspertëve janë të ndryshme, por duket se ka një konsensus lidhur me një ofertë të lartë të euros në tregun valutor.
Për këtë ofertë të lartë ka hipoteza të ndryshme, që nga prurjet e mëdha të valutës nga projektet e investimeve të huaja e deri tek efekti i eksportit të paligjshëm të kanabisit. Megjithatë, një ndikim në kursin e këmbimit mes euros, së fundmi mund të ketë pasur edhe nga krahu i kërkesës, me një rol të drejtpërdrejtë të Bankës së Shqipërisë.
Në raportin e fundit të muajit shkurt, Fondi Monetar Ndërkombëtar bën të ditur se Banka e Shqipërisë ka planifikuar disa operacione të blerjes së valutës për vitin 2017, me qëllim rritjen e vlerës së rezervës valutore të ekonomisë, por, edhe si një instrument stabilizues, në rast se strategjia e pritshme për uljen e euroizimit të ekonomisë do të ketë efekte në kursin e këmbimit.
Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk ka publikuar informacione lidhur me ndërhyrjet në tregun valutor, ndonëse, sipas FMN-së, qëllimi për blerje të euros iu është bërë i ditur aktorëve të tregut valutor dhe financiar.
Si rregull, ndërhyrjet në tregun e këmbimit valutor publikohen pas mbylljes së secilit tremujor të vitit.
Ligjërisht, Banka e Shqipërisë nuk ka si objektiv targetimin e kursit të këmbimit, megjithatë, operacionet e saj, si një operator i rëndësishëm, mund të ndikojnë raportet e këmbimit të monedhave në tregun e brendshëm valutor.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.