Dobësohet konsumi në Britani – Rritet me normën më të ngadaltë që prej vitit 2012

Ekonomitë familjare të Britanisë kanë pasur një periudhë tjetër të vështirë në tremujorin e tretë, ndërkohë që kanë rritur shpenzimet me normën më të ngadaltë që prej vitit 2012.
Zyra e Statistikave konfirmoi gjithashtu rritjen me 0.4% të Produktit të Brendshëm Bruto për tremujorin e tretë. Rritja me bazë vjetore ndërkohë, u rishikua në 1.7% nga 1.5%, por rritja reflektoi më shumë ndryshimet në të dhënat në nisje të vitit.
Britania ka pasur një rritje më të ngadaltë se ekonomitë e tjera të Europës këtë vit, ndërkohë që inflacioni, i shkaktuar kryesisht nga rënia e paundi, ka ndikuar te konsumatorët. Përveç kësaj, rritja e pagave ka qenë më e ngadaltë se inflacioni, duke komplikuar situatën. Të dhënat e Zyrës së Statistikave treguan se të ardhurat në dispozicion, të përshtatura me nivelin e çmimeve, u rritën me 0.2%, krahasuar me 2.3% rritje në tremujorin e dytë.
Norma e kursimit të ekonomive familjare ra në 5.2% nga 5.6% në tremujorin e dytë, megjithatë sipër nivelit të ulët prej 3.7% që ishte në periudhën Janar-Mars. Shpenzimet e ekonomive familjare u rritën me 1.% me bazë vjetore, që është niveli më i ulët që prej fillimit të 2012-ës.
Ashtu si konsumatorët, edhe bizneset janë treguar të kujdesshme për shkak të pasigurisë mbi daljen nga Bashkimi Europian. Investimet e bizneseve u rritën me 0.5% gjatë tremujorit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.